VV akuzon Hotin: Po i zbaton kërkesat e Vuçiqit

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar kryeministrin Avdullah Hoti dhe partnerët e tij qeverisës se po i zbatojnë kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ky reagim i VV’së, ka ardhur me rastin e ndërprerjes së punimeve në aksin rrugor Deçan-Plavë.

“Vuçiq bën kërkesa, Hoti me partnerët, i zbatojnë. Kështu ndodhi edhe me rastin e ndërprerjes së punimeve në aksin rrugor Deçan-Plavë. Tashmë është bërë e zakonshme për këtë qeveri të zbatojë kërkesat e Serbisë, gjë që në kontrast të plotë me indiferencën e saj ndaj kërkesave të popullit të Kosovës. Më parë u hoq reciprociteti, pastaj u ndal fushata diplomatike për njohjen ndërkombëtare të Kosovës, e tani po ndalen edhe projektet rrugore. A është kjo qeveri vartëse e Vuçiqit apo çfarë? Cili është qëndrimi i atyre që mburren për patriotizëm brenda në qeveri, kur as premtimin e tyre elektoral, rrugën Deçan-Plavë nuk e ndërtojnë dot pa lejen e Serbisë? Sigurisht që s’kanë qëndrim, sepse dëshira për pushtet dhe frika nga zgjedhjet ua ka mbyllur gojën”, shkruan Lëvizja Vetëvendosje, në reagimin në Facebook.

LVV thekson se Manastiri i Deçanit është po ashtu një institucion i rëndësishëm fetar, e që mbrohet nga ligji e shteti i Kosovës, andaj konfliktet e tilla nuk ka arsye fare pse të bëhen çështje ndërshtetërore.

“Institucionet e Kosovës duhet të gjejnë kompromisin e pranueshëm për palët, dhe të vazhdojnë punimet. Por një qeveri e varur nga Lista Serbe dhe nga Beogradi, e cila shquhet për paaftësinë e saj, në çdo rast po krijon mundësinë që Serbia të ndërhyjë në Kosovë. Kjo qeveri duhet të lëshojë udhë, edhe për të mirën e banorëve të Deçanit e Plavës, edhe për të mirën e Kosovës. Çdo ditë që kalon, bëhet shumë vonë. Nuk kemi kohë për të humbur me politikanët dhe politikat e 20 viteve të fundit. Duhet të rikthehemi te qeverisja e mirë dhe përfaqësimi dinjitoz”, thuhet në reagim./Mediafokus.info/