VV në Gjilan kritikon pushtetin për mos-përmbushjen e premtimeve elektorale

Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, ka kritikuar pushtetin për mos-përmbushjen e premtimeve elektorale, transmeton Mediafokus.info.

Ja çfarë thuhet në komunikatën e VV:

Liria e lëvizjes është një nga të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Si e tillë, kjo e drejtë mbrohet nga dokumente të ndryshme si Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut e vitit 1948 në nenin 13 (në 2 paragrafe), neni 36 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës si dhe shumë akte të tjera vendore e ndërkombëtare.

Në një fazë të hershme të zhvillimit të shoqërisë e njerëzimit, liria e lëvizjes ishte e drejtë natyrore, pa rregullim ligjor e formal, mbijetesa e më të fortit ishte rregulli që mbizotëronte. Vet zhvillimi e evoluimi i shoqërisë solli në një fazë njerëzimin kur liria e lëvizjes tashmë është e drejtë e garantuar ligjore si dhe e mundësuar e lehtësuar përmes përparimeve të ndryshme teknike dhe teknologjike.

Përtej zhvillimit shoqëror e ndryshimeve të kohës, liria e lëvizjes tash është cilësi e kualitet i jetës. Kështu, në shumë raste ne e arsyetojmë një projekt a veprim të caktuar pikërisht me lëvizjen e lirë të njerëzve, e në fakt e bëjmë pikërisht të kundërtën.

Sigurisht që infrastruktura është një nga nevojat elementare e bazike të një shoqërie moderne. E njejta, kur të jetë e ndërtuar, projektuar e planifikuar në mënyrën e duhur, e konsultuar nga ekspertët e fushës dhe lëmisë përkatëse, shërben edhe për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror. Pra, një nga elementet më të rëndësishme për shoqërinë, për zhvillimin e saj, për mirëqenie e për prosperitetin e saj është infrastruktura.

Ka teori e literaturë tejet shumë e lidhur me infrastrukturën.

Ka autorë, studiues, hulumtues e profesorë të shumtë që kanë shkruar e studiuar lidhur me infrastrukturën.

Ka botime e tituj, revista e libra, punime shkencore e hulumtime lidhur me infrastrukturën.

Ka planifikime disa, dhjetëra e qindra vjecare lidhur me infrastrukturën.

Përbrenda dinamikës në të cilën jetojmë sot, infrastruktura është edhe vet shëndeti. Shumë prej nesh, sidomos në vendet që janë në zhvillim, pra ato si ne, vuajnë nga infrastruktura jo e mirë, e nivelit jo të kënaqshëm. Ndërsa kur infrastruktura shkakton ndotje, kur ajo nuk krijon hapësirë rekreacioni, pushimi e atraksioni për qytetarët që jetojnë në atë vend/qytet, kur ajo krijon e rrit ndotje, kur ajo shëmton e dëmton vendbanimin atëherë sigurisht pra që infrastruktura jo që vetëm nuk është garanc për zhvillim, por e bënë pikërisht të kundërtën. Po ashtu, kur infrastruktura zhvillohet e ndërtohet në drejtimin e gabuar, duke siguruar të ardhura e përfitime për kastën e lartë politike dhe oligarkët e sipërmarrësit, duke i shndërruar të parët në kleptokrat me afat skadence e të dytët në kapitalistë gjakpirës që tentojnë të përvetsojnë gjithçka për veten, atëherë infrastruktura është edhe burim i mundshëm kriminaliteti.

Dukuritë si korrupsioni e pastrimi i parave janë arsyeja, dëmtimi i shoqërisë dhe shkatërrimi i pronës publike është pasoja, ndrrimi i pushteteve (zëvendësimi i kleptokratëve sundues, me të rinjtë e përgjegjshëm) është nevoja, e dërgimi në harresë përmes veprimit ligjor është përfundimi i të parëve e shpëtimi i të tjerëve.

Në komunën e Gjilanit, kemi shumë dukuri nga ato të lartëcekurat. Aktakuzat ndaj Kryetarit të Komunës nuk janë ndodhi që krijojnë huti tek qytetarët (kujtojme aktakuzën e vitit 2016 ndaj kryetarit Haziri). Përfshirja e zyrtarëve e vartësve të tij në afera korruptive po ashtu dukuri që jemi mësuar me të. Sakrifikimi i zyrtarëve të caktuar për të shpëtuar drejtorë e njerëz të afërt me të parin po ashtu një veti e shprehur tanimë në disa raste.

Sipas institutit GAP ku janë listuar premtimet e kryetarëve të komunave, në Gjilan janë bërë gjithsej 31 zotime. Prej tyre, deri më tani dalin të përmbushura 12, të mbetura në gjysmë 11, të filluara 6 e të pa filluara 2. Sipas fushave përkatëse, shihet një lloj prioriteti që i është dhënë një fushe të caktuar. Premtimet e bëra në komunën e Gjilanit, sipas fushave janë si vijon:

INFRASTRUKTURË – 7 (të pa përmbushura 7)

KULTURË – 6 (të pa përmbushura 1)

BUJQËSI – 5 (të pa përmbushura 2)

ARSIM – 5 (të pa përmbushura 3)

SOCIALE – 3 (të pa përmbushura 3)

URBANIZËM – 3 (të pa përmbushura 1)

SHËNDETËSI – 1 (të pa përmbushura 1)

EKONOMI – 1 (të pa përmbushura 1)

Kështu ishin listuar prioritetet e fushatës së partisë në pushtet në Komunën e Gjilanit, në zgjedhjet e vitit 2019.

Projektet që do të sjellnin ndryshime rrënjësore në jetën e qytetarëve, siç është fusha e arsimit, shëndetësisë, ekonomisë dhe ajo sociale nuk kanë mar vëmendjen e merituar dhe të duhur. Ajo që më së shumti punohet e veprohet ka të bëjë me punët që bien në sy në shikimin e parë (sic është rasti i zgjerimit të rrugës në qendër të qytetit). Parimisht, askush nuk mund të dal kundër investimeve në infrastrukturë. Nuk duhet të kritikojmë këtë çështje. Mirëpo, kur një komunë e qeverisje, arsyeton investimin e tillë me lirinë e lëvizjes qytetare, e në të njejtën kohë për këtë komunë, në raportet e rastet e inicuara nga Avokati i Popullit gjejmë vërejtje elementare për lëvizjen e personave me nevoja të veçanta (shih për këtë raportin vjetor të këtij institucioni për vitin 2019 dhe rastin me numër 340/2017, në faqe 142), e kufizimin e lëvizjes së qytetarëve të zakonshëm e pa probleme shëndetësore, atëherë këtu kemi të bëjmë me një qeverisje mediokër, që nuk e kupton esencën e të qenurit në qeverisje e udhëheqje komunale, një qeverisje që mashtron vizualisht e fshehet përmbajtësisht.

Mospërmbushja e plotë 19 premtimeve nga gjithsej 31 (sipas institutit GAP) është treguesi më i mirë i qeverisjes së pushtetit aktual. Duke qenë PUSHTET janë pikërisht pushtetarët që punojnë për vete e jo për qytetarë. Punojnë për vizualitet që të sigurojnë pushtetin.

Kësaj praktike e këtij pushteti së shpejti do t’i vie fundi. Sikur në nivelin qëndror ashtu edhe në atë lokal, në zgjedhjet që do të duhej të mbaheshin sa më parë, Lëvizja VETËVENDOSJE! do të jetë bindshëm subjekti që do të prijë e fitoj në shumicën e komunave të Kosovës e po ashtu edhe në nivel qendror, duke e vazhduar fitoren e saj. Sigurisht që ne do të hasim në pengesa, do të kemi kundërshtarë, do të bashkohen për të kundërshtuar ndryshimin që duan e për të cilin kanë nevojë qytetarët, por që kjo më nuk do të jetë e mundur, nuk do të lejohet dhe ata do të dështojnë.

Alban Hyseni – Deputet nga Lëvizja VETËVENDOSJE!