VV: S’do ta lejojmë formimin e Asociacionit nëse negociohet nga Hoti

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur konferencë për media në të cilën sërish kanë kritikuar marrëveshjen për normalizim ekonomik të cilën e kanë quajtur zotime të kryeministrit Hoti për zhbërje të kufijve shtetëror.

Ish-ushtruesi i detyrës së Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla i pyetur rreth temës së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që është nënshkruar në Bruksel në vitin 2015, ka thënë se Asociacioni nuk do të formohet dhe Lëvizja Vetëvendosje vendimin e Gjykatës Kushtetuese do ta mbrojë nga çdo kush qoftë edhe nga kryeministri Hoti, raporton Gazeta Express.

“Sa i përket Asociacionit është e paimplementueshme përshkak ndërrimit të rrethanave sepse i gjithë populli i Kosovës është kundër. Kjo është e dëmshme për Kosovën, dhe shumë mirë që është vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe ne do ta mbrojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, nga kushdo e posaqërisht nga kryeministri ilegjitim Hoti”, ka thënë Sveçla.

Ndërkaq Shefi i Grupit Parlamentar të VV’së, Rexhep Selimi ka thënë se PDK’ja duhet të jetë serioze dhe të jap nënshkrimet për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.

“Duke qenë se PDK’ja nominalisht është opozitë, nuk duhej të kërkonte shtigje tjera pos asaj që e ka hapur VV’ja dhe t’i bashkangjes nënshkrimet. Jemi aq serioz sa presim nënshkrimin e të gjithë deputetëve, PDK’ja do të duhej të ishin serioz në këtë drejtim”, ka thënë Selimi