Weber: Vuçiq do të nënshkruajë çfarëdo marrëveshje më 2 shtator

Eksperti gjerman dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor dhe procesit të dialogut Kosovë-Serbi, Bodo Weber, ka folur për takimin e 2 shtatorit mes Hotit dhe Vuçiqit në Shtëpinë e Bardhë.

Weber ka thënë se Aleksander Vuçiq do të jetë në gjendje të nënshkruajë çfarëdo marrëveshje që do t’i ofrohet në tavolinë, qoftë edhe sa për të mbajtur raportet e mira me administratën dhe me shpresën që Trump fiton zgjedhjet në nëntor.

Derisa, për kryeministrin Hoti thotë se duhet të mendohet dy herë para se të nënshkruajë. Weber thotë se përjashtim në këtë rast përbën vetëm nëse do të jetë ndonjë marrëveshje që është vetëm ekonomike, e që sipas tij, Hoti mund ta vendos nënshkrimin në të në mënyrë taktike për të shmangur ndonjë përplasje me Richard Grenellin dhe presidentin amerikan.

Por, Weber thotë se është kurioz të shoh se si Hoti do të legjitimojë çfarëdo marrëveshje të pjesshme të nënshkruar në Washington, qoftë ajo ekonomike, pas mospajtimeve të mëdha në Prishtinë pas takimit të nivelit të lartë në Bruksel dhe pas kërkesave të të gjitha partive politike që të mos zhvendoset dialogu në nivel teknik.

Sipas anëtarit të DPC, partitë politike kosovare kanë të drejtë në insistimin e tyre, meqë kthimi në nivel teknik do të jetë një regres për procesin dhe pengesë drejt arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Ndërkohë sqaron se kur flet për nënshkrimin e marrëveshje ekonomike, nënkupton që një marrëveshje potenciale ekonomike nuk duhet të prek sovranitetin dhe shtetësinë e Kosovës.

“Vuçiq sigurisht që do të nënshkruajë çfarëdo marrëveshje që i propozohet në Washington, edhe nëse një gjë e tillë do të jetë vetëm për të mbajtur raporte të mira me administratën, me shpresën që Trump do të fitojë në zgjedhjet e nëntorit. Kosova është në një pozitë krejt tjetër kur bëhet fjalë për atë çfarë ka mbetur nga aleati kryesor Perëndimor nën drejtimin e Trump” ka thënë ai.

“Kryeministri Hoti dhe koalicioni qeverisës duhet të mendoj dy herë rreth asaj se çfarë janë të gatshëm të nënshkruajnë. Nëse është ndonjë marrëveshje puro ekonomike, mund të jetë veprim i mençur taktik që ta nënshkruajë atë, vetëm për të mos hapur konfrontim me Grenellin dhe Trumpin. Duke marrë parasysh që asnjë prej ‘marrëveshjeve’ të negociuara nga Grenell, nuk ka ndonjë kuptim praktik apo asnjë prej tyre s’është obligative, dhe nuk do të implementohet, përveç se në kuadrin e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të ardhshme. Kjo është për rastin kur asnjë prej marrëveshjeve ekonomike nuk e prek statusin e Kosovës si një shtet i pavarur dhe Sovran. Prandaj, jam kurioz të shoh se si Hoti dhe qeveria e tij do të legjitimojnë nënshkrimin e ndonjë marrëveshje të pjesshme, qoftë edhe marrëveshje ekonomike, pas kundërshtive të mëdha që pamë së fundi pas dy takimeve në Bruksel dhe insistimin e të gjitha partive politike në Kosovë, me të drejtë, që negociatat nuk duhet lejuar që të kthehen në nivel teknik, sepse është një hap mbrapa nën nivelin e negociatave për një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, ka shtuar Weber.