Xhubleta shqiptare meriton të shpallet ‘kryevepër e trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit’

Xhubleta, një veshje prej shajaku, është një kostum tipik shqiptar i grave në disa treva etnike.

Xhubleta është një fund në trajtë këmbane, që vjen i valëzuar përfundi, sidomos në pjesën e mbrapme.

Përbëhet nga një numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku, qepur horizontalisht dhe të ndërthurur me breza gajtanësh. Mbahet e varur në supe me dy rripa të gjërë.

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jo Materiale vendosi që listës së pasurisë sonë shpirtërore, e cila merret në mbrojtje nga shteti, t`ia shtojë edhe xhubletën.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bën të ditur se listës për t’u mbrojtur nga shteti i është shtuar xhubleta si punim artizanal unikal.

Xhubleta si “kryevepër e trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit” meriton të merret nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Sipas Margaritit, po punohet në plotësimin e dosjeve, në mënyrë që të mund të kapen afatet e kandidimit.

“Populli ynë ka një traditë mjaft të pasur në veshje, këngë, valle, doke, zakone, zejtari…, të cilat në epokën e vrullshme të globalizimit dhe teknologjisë rrezikojnë të zhduken. Por pikërisht, këtë të fundit, ne do ta shfrytëzojmë për të ruajtur traditën, ta mbledhim, ta regjistrojmë, digjitalizojmë, ta bëjmë të aksesueshme për studiuesit, por mbi të gjitha, t’ua përcjellim brezave”, deklaron Margariti.