Ymeri: Një pjesë e VV-së e sheh Kurtin para partisë

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se në ish-partinë e tij ka njerëz që mendojnë se partia vjen pas kryetarit të saj, Albin Kurti.

Në Deskun e KOHËS, Ymeri ka thënë se kjo ka qenë edhe ndër arsyet e përplasjeve që çuan në largim të një grupi të aktivistëve të kësaj partie.

“Ka qenë kryesisht te kjo formë e organizimit, për të shpjeguar thjeshtë, a është Vetëvendosja pastaj Albini apo është Albini pastaj Vetëvendosja. Unë kam menduar se është VV-ja pastaj Albini, e mund të jetë Visari, Shpendi e Dardani e kushdo që vjen, Glauku e të tjerët. Ndërkohë që ka një grup të njerëzve brenda Vetëvendosjes të cilët kanë menduar që Albini është i pari e pastaj Vetëvendosje. E shohin VV-në si zgjatim të Albinit”, ka thënë ai.