Zoran Zaev nominohet për kryeministër të Maqedonisë së Veriut

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka nominuar kryetarin e Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), Zoran Zaev, si kandidat për kryeministër të ri të këtij vendi.

Në bazë të Kushtetutës, Zoran Zaev ka afat prej 20 ditëve që të paraqesë përbërjen e re qeveritare për votim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Pas marrjes së mandatin, Zaev nuk bëri të ditur nëse ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme, por as të qartësojë pozicionet me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), që gjithashtu kërkon postin e kryeministrin.

“Ne po i vazhdojmë bisedimet. Kemi sukses në shumë aspekte, por kemi edhe çështje tjera që nuk i kemi mbyllur, janë çështje serioze. Nuk do të jap detaje pasi nuk do të ishte në interes të flasim pa pasur diçka konkrete. Është me rëndësi që sa më parë të formohet qeveria, të cilën jam i gatshëm ta drejtoj në katër vjetët e ardhshme”, ka deklaruar Zaev, duke theksuar nevojën që në plan të parë të të gjitha partive të jenë interesat e qytetarëve dhe koncepti “një shoqëri për të gjithë”.

Ndërkohë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ditën e enjte kishte ftuar në takim kryetarët e partive tjera shqiptare, kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, të Alternativës, Afrim Gashi, të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami dhe kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, për të biseduar për zhvillimet politike, synimet në mandatin e ri, por asnjë prej tyre nuk i është përgjigjur ftesës së Ahmetit, pasi kishin kërkuar agjendë te qartë se çfarë dëshiron kryetari i BDI-së nga një takim i tillë.

“Jam thellësisht i zhgënjyer për mosardhjen e tyre në një ditë historike si kjo e Marrëveshjes së Ohrit. Do të doja që si parti t’i falënderoja për arritjet që janë bërë gjatë kësaj kohe…dhe të marrim përgjegjësi të përbashkëta për të gjitha detyrimet tjera, për të cilat pritet zgjidhje nga ne”, ka deklaruar Ahmeti.

Sa i përket bisedimeve për qeverinë e re, edhe Ahmeti nuk ka dhënë detaje, duke theksuar se gjithçka do të dihet në ditët në vijim.

“Unë nuk dua të paragjykoj negociatat dhe epilogun e bisedimeve. Për çdo zhvillim opinion do të njoftohet. BDI-ja vepron me kokë të ftohtë dhe me zemër zjarri. Gjithçka që do të ndërmarrim do të jetë në dobi të të gjithëve”, ka deklaruar Ahmeti.

Kryetari i BDI-së foli edhe për bisedimet që kanë pasur partitë tjera shqiptare me kryetarin e LSDM-së, që sipas tij kanë dëmtuar pozicionin e BDI-së në bisedimet e mëtejme për koalicionin qeverisës.

“Unë nuk e di se çfarë kanë biseduar, por e di se BDI-ja nuk është forcë që mund të anashkalohet me një takim të tillë. Sigurisht se takimet e tilla, qoftë publike apo pas perdeve, dhe ato goditje e kanë dobësuar BDI-në në këto bisedime, dhe kjo dukshëm po shihet”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

LSDM-ja e Zoran Zaevit në zgjedhjet e 15 korrikut ka fituar 46 ulëse në kuvend, BDI-ja 15, opozita shqiptare 12, PDSH-ja 1. Në rast se brenda 20 ditëve LSDM-ja nuk arrin ta formojë qeverinë, atëherë mandati duhet t’i kalojë partisë së dytë fituese, VMRO- DPMNE-së e cila ka 44 ulëse në kuvend.