Zyrtare: LVV e LDK të hënën nënshkruajnë marrëveshje për bashkëqeverisje

Lëvizja Vetëvendosje, me anë të një komunikate njofton se pas takimit të kreut të saj, Albin Kurti, me kryetarin e LDK’së, Isa Mustafa, janë pajtuar në të gjitha çështjet dhe se marrëveshja për bashkëqeverisje nënshkruhet të hënën.

“Në këtë takim u përmbyll 100% harmonizimi i programit qeverisës, duke u pajtuar për të gjitha çështjet e hapura. Nga dy modalitetet e ndryshme për kabinetin qeverisës me 12 ministri, që i kishin ofruar ekipet punuese të dy subjekteve tona, Kurti e Mustafa u përcaktuan për verzionin e parë.

Në vijim do të përzgjedhen përgjegjësitë në qeverisjen e përbashkët, për çfarë u sqaruan pozicionet dhe kërkesat. Pra, u hap tema dhe u saktësua principi i zgjidhjes, e që përfundimisht do të përmbyllet të hënën me marrëveshje”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.